Profili “Dizenjim-Mode” në drejtimin mësimor Tekstil-Konfeksion, Niveli IV i KSHK.
Qëllimi kryesor i arsimimit profesional në profilin“Dizenjim mode”, niveli IV është të përgatisë krijues të kualifikuar në fushën e modës, të aftë për t’u punësuar në veprimtaritë profesionale që lidhen drejtpërdrejt me krijimin, prodhimin dhe konfeksionimin e veshjeve, si dhe të zhvillojë jo vetëm personalitetin krijues, por edhe personalitetin e tyre si qytetarë në përshtatje me mjedisin që i rrethon”. Për të realizuar këtë, shkolla profesionale në nivelin pas të mesëm, u krijon nxënësve:
- mundësi të përshtatshme për të nxënë, pavarësisht nga gjinia, raca, besimi dhe aftësitë;
- mundësi për të gjithë, për të zhvilluar kompetencat profesionale, të bazuara në njohuritë, shprehitë, qëndrimet dhe vlerat, të mjaftueshme për të lehtësuar punësimin dhe përparimin drejt arsimit e formimit profesional të mëtejshëm;
- mbështetje për t’u njohur me rregullat e sigurimit teknik e të ruajtjes së mjedisit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për t’i zbatuar ato me rreptësi;
- mbështetje për t’u njohur me teknologjitë e proceset teknologjike bashkëkohore e të perspektivës, që lidhen me kualifikimin profesional përkatës;
- mbështetje për të zhvilluar ndjenjën e disiplinës, kuriozitetin intelektual dhe profesional, aftësitë sipërmarrëse dhe krijuese, si dhe vlerat artistike dhe morale;
- mbështetje për t’u zhvilluar nga pikëpamja artistike, psikologjike dhe fizike, për të përballuar vështirësitë që do të ndeshin gjatë veprimtarive të ardhshme profesionale;
- mbështetje për të zhvilluar frymën e tolerancës dhe të mirëbesimit nëpërmjet përvojës së punës.
Në përfundim të arsimit profesional në profilin profesional “Dizenjim mode”, niveli IV, nxënësido të jetë i aftë të ushtrojë kompetencat profesionale si më poshtë:
- Të përdorë ngjyrën si një element të rëndësishëm të komunikimit në fushën e modës;
- Të zbatojë legjislacionin shqiptar dhe standardet në fuqi për aspekte të ndryshme në fushën e modës
- Të përdorë elementet e artit dhe dizajnit në mënyrë krijuese dhe inovatore;
- Të krijojë dizajnin e tekstileve si nëpërmjet mjeteve tradicionale ashtu edhe me ato dixhitale;
- Të përdorë teknologjinë në dizenjim mode në procesin e krijimit
- Të përdorë fotografinë, si një mjet i rëndësishëm i reklamimit të koleksionit
- Të përdorë mjetet e marketingut për reklama mediatike dhe prezantimin e produktit
- Të realizojë një projekt koleksioni në industrinë krijuese të modës;
- Të realizojë skemat e prerjes dhe paraqitjen grafike në mënyrë manuale dhe digjitale;
- Të krijojë linjat e veshjeve për fëmijë, femra dhe meshkuj;
- Të përdorë si elementete historisë së modës ashtu edhe prirjet bashkëkohore në procesin e krijimit ;
- Të analizojë elemente të historisë së artit dhe estetikës;
- Të shpjegojë veshjen si element përfaqësues i identitetit individual dhe të grupit;
- Të ideojë dhe modelojë aksesorë të ndryshëm;
- Të menaxhojë një biznes mode;
- Të zbatojë rregullat e sigurimit teknik dhe të ruajtjes së mjedisit në dizenjim mode.
Përfundimi me sukses i kualifikimit profesional “Dizenjim mode”, niveli IV arsimor, e pajis nxënësinme certifikatën e dizenjuesit të modës, sipas nivelit V të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Ky kualifikim i jep mundësi nxënësit t’i drejtohet tregut të punës si dizenjues modenë ndërmarrje të ndryshme të prodhimit të veshjeve, në punishte të ndryshme artizanale dhe atelie mode apo edhe të vetëpunësohet., etj.
Me përfundimin e këtij niveli, nxënësi ka mundësi për vazhdimin e arsimimit të mëtejshëm në arsimin e lartë, në degën “Inxhinieri tekstili dhe mode” (Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike) dhe degën “ Tekstil dhe modë” (Fakulteti i Arteve të Bukura).