Profili “Modelim” në drejtimin mësimor Tekstil-Konfeksion, Niveli III i KSHK.
Qëllimi kryesor i arsimit profesional në profilin “Modelim”, niveli III i KSHK, tё drejtimit “Tekstil-Konfeksione”, është “zhvillimi i personalitetit të nxënësve për të jetuar në përshtatje me botën që i rrethon dhe përgatitja e tyre për t’u punësuar në veprimtaritë profesionale që lidhen drejtpërdrejt me sektorin e modelimit të veshjeve”. Për të realizuar këtë, shkolla profesionale u krijon nxënësve:
- mundësi të përshtatshme për të nxënë, pavarësisht nga gjinia, raca, besimi dhe aftësitë;
- mundësi për të gjithë, për të zhvilluar kompetencat profesionale, të bazuara në njohuritë, shprehitë, qëndrimet dhe vlerat, të mjaftueshme për të lehtësuar punësimin dhe përparimin drejt arsimit e formimit profesional të mëtejshëm;
- mbështetje për t’u njohur me rregullat e sigurimit teknik e të ruajtjes së mjedisit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për t’i zbatuar ato me rreptësi;
- mbështetje për t’u njohur me teknologjitë e proceset teknologjike bashkëkohore e të perspektivës, që lidhen me kualifikimin profesional përkatës;
- mbështetje për të zhvilluar ndjenjën e disiplinës, kuriozitetin intelektual dhe profesional, aftësitë sipërmarrëse, si dhe vlerat morale;
- mbështetje për t’u zhvilluar psikologjikisht dhe fizikisht, për të përballuar vështirësitë që do të ndeshin gjatë veprimtarive të ardhshme profesionale;
- mbështetje për të zhvilluar frymën e tolerancës dhe të mirëbesimit nëpërmjet përvojës së punës.
Në përfundim të arsimit profesional në profilin profesional “Modelim”, niveli III i KSHK, nxënësi do të zotërojë këto kompetenca të përgjithshme kryesore:
- Të komunikojë në mënyrë korrekte me shkrim e me gojë për të shprehur mendimet e ndjenjat e tij dhe për të argumentuar opinionet për çështje të ndryshme.
- Të përdorë burime dhe teknika të ndryshme të mbledhjes dhe të shfrytëzimit të informacioneve të nevojshme për zhvillimin e tij personal dhe profesional.
- Të nxisë potencialin e tij të brendshëm në kërkim të vazhdueshëm për zgjidhje të reja më efektive dhe më efiçente.
- Të angazhohet fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht në kryerjen e detyrave të ndryshme në kontekstin profesional, personal dhe shoqëror.
- Të respektojë rregullat dhe parimet e një bashkëjetese demokratike në kontekstin e integrimeve lokale, rajonale.
- Të manifestojë guxim dhe aftësi sipërmarrëse për të ardhmen e tij.
- Të tregojë vetëkontroll gjatë ushtrimit të veprimtarive të tij.
- Të organizojë drejt procesin e të nxënit të tij dhe të shfaqë gadishmërinë dhe vullnetin për të nxënë gjatë gjithë jetës.
- Të respektojë parimet e punës në grup dhe të bashkëpunojë aktivisht në arritjen e objektivave të pranuara.
- Të vlerësojë dhe vetvlerësojë nisur nga kritere të drejta si bazë për të përmirësuar dhe çuar më tej arritjet e tij.
Në përfundim të arsimit profesional në profilin profesional “Modelim”, niveli III i KSHK, nxënësi do të jetë i aftë të zhvillojё mё tej kompetencat profesionale tё fituara nё nivelin II të KSHK, si dhe tё ushtrojë kompetenca tё tjera profesionale, si më poshtë:
- Të organizojë vendin e punës.
- Të interpretojë skicën (vizatimin) nga stilisti.
- Të zbërthejë në detaje skicën teknike.
- Të përdorë programe të mdryshme të CAD-it për dizenjimin dhe modelimin e veshjeve.
- Të përzgjedhë pëlhurën në varësi të modelit në skicë.
- Të përzgjedhë materialet ndihmëse dhe aksesorët e qepjes në varësi me skicën.
- Të përgatisë kallëpet e prerjes bazuar në skicë.
- Të presë materialin.
- Të ndjekë tërësinë e procesit të prodhimit
- Të shpërndajë punën tek stafi.
- Të përzgjedhë metodën e montimit të qepjes.
- Të realizojë ekonomizimin e lëndës së parë,nëpërmjet një llogaritjeje të thjeshtë.
- Tëpërshkruajëvetitë fiziko mekanike të tekstilit.
- Të zbatojë rregullat e sigurimit teknik.
- Të zbatojë rregullat e ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
- Të mirëmbajë mjetet dhe pajisjet e punës
Përfundimi me sukses i arsimit profesional nё profilin “Modelim”, niveli III i KSHK, e pajis nxënësin me certifikatën e punonjësit të kualifikuar në këtë profil profesional. Ky arsimim i jep mundësi nxënësit t’i drejtohet tregut të punës si modelist në reparte industriale dhe artizanale.
Me përfundimin e këtij niveli, nxënësi ka mundësi për vazhdimin e arsimimit në nivelin IV të KSHK (teknik/manaxherial) të arsimit profesional (njëvjeçar) nё drejtimin “Tekstil konfeksione”, pёr tё fituar diplomёn e “Maturës shtetërore profesionale”, me mundësi për vazhdimin e studimeve universitare dhe pas të mesmes.