Profili “Tregti” në drejtimin mësimor Ekonomi-Biznes, Niveli IV i KSHK referuar Niveli-t IV të KEK.
Qëllimi kryesor i arsimit profesional në profilin “Tregti”, niveli IV i KSHK, të drejtimit ”Ekonomi-Biznes” është “zhvillimi i personalitetit të nxënësve për të jetuar në përshtatje me botën që i rrethon, zhvillimi dhe nxitja e aftësive së tyre për të menduar, krijuar dhe zgjidhur probleme në mënyrë të pavarur si dhe përgatitja e tyre për t’u punësuar apo vetëpunësuar në veprimtari profesionale që lidhen me profilin e Tregtisë”. Zhvillimi te nxënësit i ndjenjës së vetëbesimit, kultivimi i vullnetit të lirë në marrjen e vendimeve, nxitja e gatishmërisë për tënxënë gjatë gjithë jetës dhe për t’u zhvilluar individualisht në drejtimet emocionale, intelektuale dhe profesionale janë sfida të rëndësishme për arritjen e këtij qëllimi. Për të realizuar këtë, shkolla profesionale i’u krijon nxënësve:
- mundësi të përshtatshme për të nxënë, pavarësisht nga gjinia, raca, besimi dhe aftësitë;
- mundësi për të gjithë, për të zhvilluar kompetencat profesionale, të bazuara në njohuritë, shprehitë, qëndrimet dhe vlerat të mjaftueshme për të lehtësuar punësimin dhe përparimin drejt arsimit e formimit profesional të mëtejshëm;
- mbështetje për t’u njohur me rregullat e sigurisë në punë dhe të ruajtjes së mjedisit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për t’i zbatuar ato me rreptësi;
- mbështetje për t’u njohur me teknologjitë e proceset bashkëkohore e të perspektivës në fushën e llogarisë, që lidhen me kualifikimin profesional përkatës;
- mbështetje për të zhvilluar ndjenjën e disiplinës, kuriozitetin intelektual dhe profesional, aftësitë sipërmarrëse si dhe vlerat e tyre morale;
- mbështetje për t’u zhvilluar psikologjikisht dhe fizikisht për të përballuar vështirësitë që do të ndeshin gjatë veprimtarive të ardhshme profesionale;
- mbështetje për të zhvilluar frymën e tolerancës dhe të mirëbesimit nëpërmjet përvojës së punës.
Në përfundim të arsimit profesional në profilin profesional “Tregti”, niveli IV i KSHK, nxënësi do të zotërojë këto kompetenca të përgjithshme kryesore:
- Të komunikojë në mënyrë korrekte me shkrim e me gojë për të shprehur mendimet e ndjenjat e tij dhe për të argumentuar opinionet për çështje të ndryshme.
- Të përdorë burime dhe teknika të ndryshme të mbledhjes dhe të shfrytëzimit të informacioneve të nevojshme për zhvillimin e tij personal dhe profesional.
- Të nxisë potencialin e tij të brendshëm në kërkim të vazhdueshëm për zgjidhje të reja më efektive dhe më efiçente.
- Të angazhohet fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht në kryerjen e detyrave të ndryshme në kontekstin profesional, personal dhe shoqëror.
- Të respektojë rregullat dhe parimet e një bashkëjetese demokratike në kontekstin e integrimeve lokale, rajonale.
- Të manifestojë guxim dhe aftësi sipërmarrëse për të ardhmen e tij.
- Të tregojnë vetëkontroll gjatë ushtrimit të veprimtarive të tij.
- Të organizojë drejt procesin e të nxënit të tij dhe të shfaqë gadishmërinë dhe vullnetin për të nxënë gjatë gjithë jetës.
- Të respektojë parimet e punës në grup dhe të bashkëpunojë aktivisht në arritjen e objektivave të pranuara.
- Të vlerësojë dhe vetvlerësojë nisur nga kritere të drejta si bazë për të përmirësuar dhe çuar më tej arritjet e tij.
Me përfundimin me sukses të arsimit profesional në profilin profesional “Tregti“, niveli IV i KSHK, nxënësi do të jetë i aftë të zhvillojё mё tej kompetencat profesionale tё fituara nё nivelin e mëparshëm, si dhe tё ushtrojë kompetenca tё tjera profesionale, si më poshtë:
- Në fushën e blerjeve:
- Të kontribuojë në hulumtimin e tregjeve globale dhe konkurruese të blerjes.
- Të krahasojë oferta, vendosë dhe ruajë marrëdhëniet me furnitorët.
- Të përzgjedhë dhe përfshijë, në kontratat e blerjes, kushte të ndryshme të lëvrimit dhe pagesave.
- Të mbledhë informacione për importin.
- Të dokumentojë dhe regjistrojë blerjet.
- Të magazinojë produktin.
- Në fushën e shitjeve:
- Të kontribuojë në hulumtimin e tregjeve globale dhe konkurruese të shitjeve.
- Të mbajë korrespondencë zyrtare në fushën e shitjeve, sipas rregullave ndërkombëtare dhe në gjuhë të huaj.
- Të ambalazhojë produktin.
- Të përgatisë produktin për shpërndarje.
- Të përgatisë dokumentacionin shoqërues të produktit.
- Të mbledhë informacione për eksportin.
- Të kryejë shitje edhe në mënyrë elektronike, si dhe t’i dokumentojë ato.
- Të pranojë dhe përpunojë reklamime për shitjet e kryera.
- Në lidhje me krijimin e ndërmarrjes tregtare dhe regjistrimin e saj:
- Të kontribuojë në kryerjen e studimeve për krijimin e ndërmarrjes dhe në hartimin e planeve të thjeshta të biznesi.
- Të përcaktojë formën juridike të ndërmarrjes, në vartësi të kushteve dhe kërkesave të krijuesve të saj.
- Të hartojë dokumentet e themelimit të ndërmarrjes.
- Të kryejë veprimet e licencimit dhe regjistrimit të ndërmarrjes në dhe të hartojë të gjithë dokumentacionin përkatës.
- Në lidhje me konsumatorin dhe sjelljen e tij:
- Të mbledhë dhe prezantojë informacionin për sjelljen konsumatore.
- Të analizojë procesin e vendimmarrjes së konsumatorëve.
- Të mbledh dhe prezantojë informacionin për vendimmarrjen e konsumatorëve.
- Të përcaktojë lidhjet kryesore, karakteristikat (demografike, socio-kulturore, ekonomike, psikologjike) e grupeve të ndryshme të konsumatorëve lidhur me produktet në dispozicion.
- Të bëjë një prezantim të saktë teknik të produktit apo shërbimit.
- Në fushën e marketingut:
- Të kontribuojë në përpunimin dhe realizimin e koncepteve dhe fushatave të thjeshta reklamash.
- Të kontribuojë në përpunimin identitetit të ndërmarrjes dhe realizimin e tij.
- Të kontribuojë në hartimin e materialeve informuese për ndërmarrjen dhe produktet e saj.
- Të kontribuojë në planifikimin dhe realizimin e promocionit të ndërmarrjes dhe produkteve të saj.
- Në fushën e kontabilitetit:
- Të përshkruajë strukturën e të ardhurave dhe shpenzimeve në ndërmarrjen tregtare.
- Të kryejë llogaritje të kostove dhe të çmimit në ndërmarrjen tregtare.
- Të kontabilizojë veprimet në ndërmarrjen tregtare.
- Të kryejë veprimet e mbylljes dhe përgatitjen e pasqyrave financiare në ndërmarrjen tregtare.
- Në lidhje me marrëdhëniet me organet tatimore dhe doganore:
- Të deklarojë tatimin mbi fitimin (TF), tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), duke plotësuar deklaratat përkatëse.
- Të kuadrojë me zyrat e tatimeve vendore ose qendrore.
- Të respektojë afatet dhe shlyejë detyrimet e ndryshme tatimore dhe doganore të ndërmarrjes ndaj administratës qendrore e lokale.
- Në lidhje me legjislacionin në fuqi:
- Të zbatojë legjislacionin shqiptar dhe standardet në fuqi për aspekte të ndryshme të ekonomisë.
- Të përpilojë kontratat e shitjes dhe blerjes.
- Në fushën e sigurisë dhe higjienës:
- Të zbatojë rregullat dhe standardet e duhura të ruajtjes, magazinimit dhe transportit të Produktit.
- Të kontrollojë datat e skadencës së produktit dhe t’i respektojë ato.
- Të zbatojë rregullat dhe standardet e asgjësimit të produkteve të skaduara apo të prishura.
- Të zbatojë rregullat e ruajtjes së mjedisit.
- Të zbatojë normat dhe rregullat e sigurisë ushqimore për produktet.
- Në fushën e sipërmarrjes:
- Të aplikojë aftësitë për planifikim dhe menaxhim projekti në situata të ndryshme.
- Të hartojë një plan efektiv biznesi sipas profilit përkatës.
Përfundimi me sukses i arsimit profesional në profilin “Tregti” niveli IV i KSHK, e pajis nxënësin me certifikatën e niveli t menaxherial në këtë profil profesional. Ky arsimim i jep nxënësit mundёsi t’i drejtohet tregut të punës për t’u punësuar si në ndërmarrje tregtare, ndërmarrje prodhuese që realizojnë shitje, njësi shitjeje me shumicë dhe me pakicë, njësi të shitjeve on-line, njësi shpërndarëse, kompani import-eksporti, kompani transporti, agjenci doganore, shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, si dhe ndërmarrje të ndryshme private/shtetërore që ushtrojnë veprimtarinë në këtë drejtim. Gjithashtu, individi mund të vetëpunësohet në kuadrin e një biznesi individual në fushën e tregtisë.
Me përfundimin e suksesshëm të këtij niveli , nxënësi fiton njëkohësisht edhe diplomёn e “Maturës shtetërore profesionale”, me mundësi për vazhdimin e studimeve të larta universitare, si edhe të arsimit pas të mesmes.